LAJMI I FUNDIT: KCSF ANNOUNCES ITS SECOND EXECUTIVE PROGRAM IN COOPERATION WITH THE COLLEGE OF... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

KCSF mbështet 7 projekte me financimin e Qeverisë së Luksemburgut


Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka mbështetur 7 projekte për integrimin social të të rinjve, financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Projektet e mbështetura kanë për qëllim angazhimin aktiv të rinisë për qytetari aktive dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.


Projektet e mbështetura do të shtrihen në zona të ndryshme të Kosovës, duke mbuluar komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajit, Mitrovicës, Pejës, Gjilanit, Fushë Kosovës, Gllogocit, Kamenicës, Vitisë,  Rahovecit, Istogut, Zubin Potokut, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Mamushës, Suharekës, Dragashit etj.


Përkrahja e këtyre 7 organizatave si: IPKO Foundation, RIT Kosovo (A.U.K), Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), Peer Educators Network (PEN), Sbunker, Dokufest dhe Ec Ma Ndryshe kap shumën e rreth 1 milion euro derisa zbatimi i projekteve shtrihet në një hark kohor deri në dy vjet. Integrimi social i të rinjve është një nga shtyllat kryesore të skemës së përkrahjes së Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë.


Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut ka ndarë 2 milionë euro për të përkrahur shoqërinë civile në Kosovë përmes KCSF, për një periudhë prej 4 vitesh. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet palëve u nënshkrua në muajin mars 2017.


Një sërë sfidash aktuale për Kosovën janë adresuar në këtë bashkëpunim, përmes mbështetjes financiare për organizatat e shoqërisë civile, për t’i hapur rrugën përfshirjes dhe kontributit të tyre në fushat dhe çështjet prioritare.


Krahas integrimit social të të rinjve, në muajt e parë të këtij viti, do të mbështeten projekte për raportimin e drejtë në gazetari dhe lirinë e shtypit, si dhe rritjen e njohurive mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe Integrimit Evropian.


Roli i grave, barazia gjinore, si dhe integrimi i minoriteteve do të mbështetet dhe promovohet sistematikisht në të gjitha aktivitetet e ndërmarra.


Znj. Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive e KCSF-së, tha se përmes këtyre projekteve synohet një trajtim shumëdimensional i integrimit të të rinjve në shoqëri. “Edhe pse Kosova ka moshën mesatare më të re në Europë, të rinjtë janë shpesh të shpërfillur në nivel të politikave dhe mundësive reale. Ndaj, përmes këtyre ndërhyrjeve që shtrihen në pothuajse të gjithë vendin, po synojmë të japim kontributin tonë”, theksoi znj. Hajrullahu.

“Qeveria e Luksemburgut mirëpret  fillimin e zbatimit të projekteve në tërë Kosovën, e të cilat janë jashtëzakonisht interesante e të ndryshme për nga natyra. Jam shumë e lumtur që në mbështetjen e shoqërisë civile në Kosovë, ne kemi një partner dinamik si KCSF-ja”, tha Anne Dostert e ngarkuar me punë (Chargée d’affaires) e ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë.


Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë është pjesë e Programit për bashkëpunim zhvillimor të Luksemburgut 2017-2021, i cili bazohet në marrëveshjen dypalëshe dhe Memorandumin e mirëkuptimit nënshkruar në tetor të vitit 2016 ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Luksemburgut.
 

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Çka nënkuptojmë me Statusin për Përfitim Publik?më shumë