LAJMI I FUNDIT: Çmimi për artikullin më të mirë hulumtues –... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Programi i zhvillimit të shoqërisë civile

Fuqizimi i përfshirjes së shoqërisë civile në politikë-bërjen demokratike në Kosovë

Qeveria dhe shoqëria civile kanë një histori relativisht të re të zhvillimit në Kosovë. Në një situatë ku gati se gjithçka u desh të ndërtohej nga fillimi, trupat qeveritare ende hasin në vështirësi të mëdha në draftimin e ligjeve dhe politikave, si dhe implementimin e rregulloreve të cilat duhet t’i përmbushin nevojat e qytetarëve. Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile (OShC) kanë mungesë të kapaciteteve për të marrë pjesë ne zhvillimin e politikave publike.

KCSF, me përkrahjen financiare të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Demokraci (UNDEF), në Nëntor 2009 filloi një projekt dy vjeqar për të fuqizuar përfshirjen e shoqërisë civile në politikë-bërjen demokratike në Kosovë. Konkretisht, objektivat e planifikuara të këtij projekti përfshijnë:

1) Ngritjen e kapaciteteve të OShCve për të ndikuar politikë-bërjen;
2) Asistimin e OShCve për veprim të menjëhershëm në formësimin e politikave;
3) Promovimin e debatit brenda shoqërisë civile për përfshirjen e OShCve në procesin e draftimin të ligjeve dhe politikave publike; dhe
4) Rritjen e vetëdijes së autoriteteve publike për një ambient lehtësues për demokraci pjesëmarrëse. 

Për të përmbushur këto qëllime, KCSF është duke punuar në katër komponente kryesore: Trajnime bazike dhe punëtori të avancuara, të shoqëruara me udhëzues praktikë, duke tentuar ngritjen e kapaciteteve të OShCve kosovare për të marrë pjesë aktivisht në procesin e politikë-bërjes, përfshirë edhe mësimet nga praktikat më të mira të vendeve tjera europiane. Pas ngritjes së kapaciteteve, OShCve më aktive do t’u ofrohet asistencë konkrete nëpërmjet ofrimit të ekspertizës ligjore, trajnimit gjatë punë (coaching) dhe mentorimit për kontributet kryesore të tyre në procesin e politikë-bërjes. Përgjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, informata të përditësuara do t’u ofrohen OShCve dhe hisedarëve të tjerë me qëllim të ofrimit të hapësirës për debat dhe shkëmbim përvojash. Në fund, projekti do të synojë që të ngrisë vetëdijen e institucioneve kryesore shtetërore rreth rolit të tyre për të pranuar kontributet nga shoqëria civile dhe për të krijuar një ambient lehtësues për demokraci pjesëmarrëse, nëpërmjet konferencave, trajnimeve dhe publikimeve.

Aktvitetet kyqe që janë duke u ndërmarrë përgjatë projektit konsistojnë në katër komponente kryesore:

  • Ngritja e kapaciteteve për OShC- 10 trajnime bazike dhe 3 punëtori të avancuara në shkathtësi praktike dhe përvoja më të mira në ndikimin e politikë-bërjes;
  • Asistencë teknike dhe ligjore për OShC - zhvillim të udhëzesëve (për nivel qendror dhe lokal) rreth procesit të konsultimeve publike, këshillime të specializuara ligjore për OJQ, trajnim gjatë punës (coaching) dhe mentorim për ndikimin në ligje/rregullore specifike, si dhe ofrim të informatave;
  • Promovim i debatit – studim rreth përfshirjes së mëhershme të shoqërisë civile në bërjen e politikave publike, vizita studimore në vendet me praktika më të mira ne Europë, takime të rregullta të OShCve, dhe buletine periodike rreth zhvillimeve në këtë fushë; dhe
  • Ngritje e vetëdijes së institucioneve shtetërore – tryeza të rrumbullakëta të ekspertëve; 3 trajnime (parlament, qeveri lokale e qendrore) rreth praktikave më të mira të përfshirjes së shoqërisë civile në politikë-bërje; dhe një konferencë përmbyllëse e projektit.


Për më tepër rreth këtij projekti, ju lutem vizitoni linkun e projektit.
 

Indeksi i Shoqërisë Civile i CIVICUS

Indeksi i Shoqërisë Civile (ang. Civil Society Index – CSI) është një projekt i bazuar në veprim i cili ka për qëllim të vlerësojë gjendjen e shoqërisë civile në vendet gjithandej botës.

Ndërmjet vitit 2003 dhe 2006, CSI është implementuar në mbi 50 shtete anë e mbanë botës. Në fillim të vitit 2008 u rishikua metodologjia e projektit, bazuar në rezultatet e vlerësimeve dhe komenteve të ndryshme të ekspertëve dhe grupeve tjera. Gjatë verës së vitit 2008 ka filluar faza e dytë botërore e Indeksit të Shoqërisë Civile, ku Kosova është përfshirë për herë të parë, dhe KCSF është përzgjedhur si implementuese. 

CSI është i dizajnuar për të matur dimensionet e mëposhtme:

1. Angazhimi Civil: Hapësira deri ku individët angazhohen në iniciativat sociale dhe të lidhura me politikat.
2. Niveli i organizimit. Masa e institucionalizimit që e karakterizon shoqërinë civile (e matur nëpërmjet analizës së organizatave të shoqërisë civile).
3. Praktikimi i vlerave. Masa në të cilën shoqëria civile i praktikon disa vlera themelore.
4. Ndikimi i perceptuar: Masa në të cilën shoqëria civile është e aftë që të ndikojë arenen shoqërore dhe të politikave, duke u bazuar në perceptimet e brendshme dhe të jashtme.
5. Ambienti i jashtëm: Katër dimensionet e mësipërme analizohen në kontekstin e dimensionit të pestë, që CSI e quan “ambieni i jashtëm”, e që përfshinë kushtet (p.sh. Variablat socio-ekonomike, politike dhe kulturore) brenda të cilave vepron shoqëria civile.

Secili dimension rezulton prej një spektri të gjërë të të dhënave sasiore dhe cilësore. Indikatorët sasiorë përdoren për të konstruktuar Diamantin e Shoqërisë Civile, një nga komponentet kyqe të CSI-së, i cili është i ndarë në nën-dimensione që rezultojnë nga indikatorët sasiorë. Duke i mbledhur këto të dhëna sasiore, CSI gjeneron Diamantin e Shoqërisë Civile (që shkallëzohet prej 0-100)

 

Diamanti i Shoqërisë Civile (shembull i paraqitjes grafike)


Diamanti i Shoqërisë Civile nuk i përmbyll indikatorët e ndryshëm mrenda vetëm një njësie matëse, numri ose rezultati. Ky diamant i kombinon indikatorët për të ofruar një shfaqje vizuale të dimensioneve të ndryshme dhe vlerave të tyre respektive brendja një hapësire të përbashkët, duke i përdorur njësi matëse të njejta ose të krahasueshme. Madhësia e Diamantit mundohet të përshkruajë një pasqyrë empirike të gjendjes së shoqërisë civile, duke mbuluar manifestimet strukturore dhe normative, por gjithashtu duke përmbledhur kushtet të cilat e përkrahin apo e pengojnë zhvillimin e shoqërisë civile, sikurse edhe pasojat e aktiviteteve të shoqërisë civile për shoqërinë në përgjithësi.

Konteksti ose ambienti, i paraqitur vizuelisht nga një rreth qendor perreth akseve të Diamantit, nuk paraqet gjendjen e shoqërisë civile, por më tepër elementet qenësore që ndikojnë në zhvillimin e saj.

Diamanti i Shoqërisë Civile gjithashtu synon që të mundësojë krahasime të dobishme. Mund të përdoret për të përcjellur zhvillimet brenda një kohe të caktuar por edhe raste të caktuara në mes vete (shtet, rajon ose fushë). Ky krahasim mund të përfshijë dy ose më shumë shtete, një rajon brenda një shteti në raport me shtetin në tërësi, ose edhe një fushë specifike të shoqërisë civile në raport me shoqërinë civile në përgjithësi.

Metodologjia e përdorur gjithashtu përfshin edhe implementimin e rasteve studimore ( analizë e thelluar e temave të zgjedhura, për secilin dimension). Këto raste studimore janë të rëndësihme për shkak të identifikimit të faktorëve kyq që ndikojnë në gjendjen e përgjithshme të shoqërisë civile në një vend, duke u fokusuar fushat ku një formë e caktuar e veprimit do të duhej të promovohej.

Hulumtimet parësore (nga të cilat edhe gjenerohet Diamanti i Shoqërisë Civile) që janë ndërmarrë në kuadër të projektit kanë përfshirë tre hulumtime themelore: Hulumtimin e Popullësisë (me 1300 persona), Hulumtimin e Organizatave (me 100 organizata të shoqërisë civile), dhe Hulumtimin e Perceptimit të Jashtëm (me 40 individë eminentë jashtë fushës së shoqërisë civile). Edhe pse rol të rëndësishëm në përgatitjen e analizave përfundimtare luajnë edhe të dhënat sekondare, në të cilat përfshihen të gjitha dokumentet, analizat, raportet dhe materialet tjera të botuara më parë, e që kanë të bëjnë me shoqërinë civile, Indeksi i Shoqërisë Civile në Kosovë ka pasur në dispozicion vetem një numër shumë të kufizuar të këtyre të dhënave, për shkak të numrit shumë të vogël të statistikave në dispozicion për Kosovën.

Gjatë muajve Gusht, Shtator dhe Tetor 2010, rezultatet e të gjitha këtyre hulumtimeve dhe rasteve të studimit janë diskutuar edhe në fokus grupe sektoriale dhe rajonale, ndërsa do të  diskutohen dhe validohen në Punëtorinë Kombëtare, e cila do të mbledh në një vend një numër të madh të organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve tjerë. Në këtë punëtori gjithëpërfshirëse gjithashtu do të nxirren edhe rekomandime rreth veprimeve që duhet të ndërmirren me qëllim të forcimit të shoqërisë civile në përgjithësi.

Produktet finale të gjithë projektit, e që janë duke u përgatitur nga KCSF janë: Raporti Analitik i gjendjes së shoqërisë civile në Kosovë, Dokumenti i Rekomandimeve Politike dhe Databaza e Indikatorëve të Shoqërisë Civile. Dy dokumentet e para do të shkruhen nga specialistë të shoqërisë civile, bazuar në të gjitha aktivitetet e lartpërmendura në kuadër të projektit, ndërsa databaza e indikatorëve do të gjenerohet nga rezultatet e hulumtimeve të ndërmarra në kuadër të këtij projekti.
 

Zhvillimi i pjesëmarrjes qytetare në Kosovë

Në partneritet me organizatën PAI (Public Administration International) nga Britania e Madhe, dhe me përkrahjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet ambasadës së saj në Kosovë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile është duke implementuar projektin mbi zhvillimin e pjesëmarrjes qytetare në Kosovë. Partnerë kryesorë të këtij projekti janë Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapsinor, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Qendra Rajonale për Mjedis dhe Rrjeti Rinor i Kosovës.

Projekti synon që të nxisë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në konsultimet për bërjen e politikave duke zhvilluar modele të suksesshme për konsultime publike, si dhe duke ngritur kapacitetet e shërbyesëve civilë dhe përfaqësuesëve të OJQve sektoriale për të ndërmarrë konsultime të suksesshme. Në projektin aktual prioritet i’u është dhënë fushave të rinisë dhe ambientit, ku janë organizuar trajnime të dedikuara për shërbyesit civil dhe përfaqësuesit e OJQve, sikurse që janë zhvilluar udhëzues praktikë për procesin e konsultimeve publike. Aktualisht janë duke u organizuar ushtrime konsultuese në fushat e ambientit dhe të rinisë. Këto aktivitete do të shërbejnë për të vendosur praktika të thjeshta dhe efikase të pjesëmarrjes së shoqërisë civile në procesin e politikë-bërjes.

Në muajt Korrik dhe Gusht 2010, KCSF dhe PAI ka ndihmuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të ndërmarrë konsultime me shkrim me organizatat jo-qeveritare rinore rreth Udhëzimit Administrativ mbi Edukimin Jo-Fomal të të Rinjëve, udhëzim ky që rrjedh nga Ligji për Fuqizimin e Rinisë. Ky udhëzim administrativ është nënshkruar nga Ministri i MKRS-së, z. Lutfi Haziri, më 12 Gusht 2010, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Në të njejtën kohë, KCSF dhe PAI janë duke ndihmuar gjithashtu edhe Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor dhe Agjencinë Kosovarë për Mbrojtjen e Mjedisit për të zhvilluar procese të konsultimit me OJQ-të ambientaliste rreth Strategjisë së Administrimit të Mbeturinave.
 

Përkrahja për fuqizimin e rrjetit të organizatave jo-qeveritare të Kosovës - Platformës CiviKos

Duke filluar nga muaji Korrik 2010, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile është duke shërbyer si sekretariat i Platformës CiviKos, duke i ofruar kësaj platforme zyret dhe mbulimin e shpenzimeve operacionale, sikurse edhe përkrahje financiare.

Platforma CiviKos është iniciativë e organizatave të shoqërisë civile ne Kosovë e nisur në fillim të vitit 2007, ndërsa zyrtarisht e regjistruar më 2 Shtator 2007, që ka për qëllim krijimin e një mjedisi të përshtatshëm formal për bashkëpunim të sektorit të shoqërisë civile dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndër të tjera, Platforma CiviKos, pas një procesi të gjatë konsultimi e me pjesëmarrjen e rreth 100 organizatave të shoqërisë civile, më 9 Nëntor 2007 ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile (të përfaqësuar nga Platforma CiviKos). Ky Memorandum paraqet dokumentin e parë formal që parasheh përkushtimin e dyanshëm për një bashkëpunim institucional dhe partneritet të mirëfilltë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile.

Pas një periudhe me aktivitet të kufizuar, në Maj të vitit 2010 Bordi i Platformës CiviKos vendosi për shtimin e angazhimeve konkrete për fuqizimin e platformës me qëllim të avancimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në një Strategji të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile, i cili do të paraqiste një dokument obligativ për shndërrimin e përkushtimeve të marra në aktivitete dhe rezultate konkrete.

Në këtë drejtim, duke filluar nga muaji Korrik 2010, Platforma CiviKos ka përfituar përkrahje financiare dhe logjistike nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në vlerë prej 22,170 EUR, sikurse që është në fazën e aplikimit edhe për shumën prej 11,000 EUR, me qëllim që deri në fund të muajit Mars 2011 të ndërmarrë aktivitetet në vijim:

Ngritjen e kapaciteteve të brendshme ekzekutive të Platformës Civikos – nëpërmjet angazhimit të stafit të përhershëm që do të ndërmarrë aktivitetet e përditshme të Platformës

Mobilizimin e antarësisë – nëpërmjet kontaktimit dhe ftesës për antarësim të të gjitha organizatave aktive të shoqërisë civile në Kosovë

Analizës së praktikave më të mira të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në rajon dhe BE – me qëllim të gjetjes së alternativave më të mira të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe autoriteteve publike të cilat mund të jenë të zbatueshme në Kosovë

Tryezë e rrumbullakët për diskutimin e praktikave më të mira – me qëllim të hapjes së debatit në mes të gjithë aktorëve relevantë për formën më të mirë të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe Qeverisë së Kosovës

Hartimin e kornizës për Strategjinë e Bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile – nëpërmjet gjithëpërfshirjes së aktorëve të shoqërisë civile dhe atyre qeveritarë me qëllim të përgatitjes së dokumentit bazë të këtij bashkëpunimi

Përgatitjen e Udhëzuesit për Ligjin për Liri të Asociimit në OJQ – me qëllim të njoftimit të organizatave të shoqërisë civile lidhur me të drejtat dhe obligimet e parapara me Ligjin e ri për Liri të Asociimit në OJQ, i cili aktualisht është në proces të plotësim-ndryshimit dhe pritet të miratohet deri në fund të vitit 2010.

Kuvendi Vjetor të Platformës CiviKos – me qëllim të përcaktimit të orientimeve strategjike dhe përfshirjes në strukturat e Platformës CiviKos të të gjithë organizatave anëtare të antarësuara gjatë kësaj periudhe,

Për më tepër informata rreth Platformës CiviKos dhe aktiviteteve të saj gjatë kësaj periudhe, ju lutem kontaktoni në [email protected], ose numrat e telefonit 038 248 636 dhe 038 248 643 ose 044 640 464.
 

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Cilat janë obligimet e OJQ-ve ndaj DRNOJQ – së?më shumë