LAJMI I FUNDIT: KCSF shpall Programin Ekzekutiv në Bashkëpunim me Kolegjin e... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

FTESË PËR PAKON E TRAJNIMEVE PËR ORGANIZATA TË SHOQËRISË CIVILE (nëntor 2016 - shkurt 2017)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në edicionin e dytë të Pakos së Trajnimeve. Pakoja e Trajnimeve ka si qëllim rritjen e kapaciteteve të  organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, duke krijuar kështu një hapësire e cila do të jetë në funksion të drejtëpërdrejtë të zhvillimit të mëtejshëm të sektorit. Kjo pako ofrohet në baza të rregullta vjetore dhe përmban 6 trajnime me tema  të ndryshme, të cilat janë vlerësuar si komponentët bazë të njohurive që një organizatë duhet të ketë për mirë-funksionimin e saj. Të gjitha trajnimet  ofrohen pa pagesë për organizatat e përzgjedhura.

TEMAT E TRAJNIMEVE DHE DATAT

Pakoja e trajnimeve do të përmbajë temat:

  • Organizimi i brendshëm dhe qeverisja e organizatave të shoqërisë civile – Në këtë trajnim do të trajtohet koncepti i shoqërisë civile dhe format e organizimit të shoqërisë civile; parimet e përgjithshme dhe kërkesat ligjore për qeverisje të organizatave të shoqërisë civile; format e qeverisjes – organet e brendshme dhe ndarja e kompetencave; dokumentet e brendshme të OShC-ve – Statuti, Rregullorja e punës, Kodi etik dhe dokumentet tjera të organizatës; parimet e përgjithshme të menaxhimit financiar; nëntor 2016.
  • Standardet minimale mbi procesin për konsultim publik – Në këtë trajnim pjesëmarrësit do të prezantohen me procesin e konsultimit publik, me fokus në Rregulloren për Standarde Minimale në procesin e konsultimit publik. Përveç obligimeve dhe mekanizmave të pjesëmarrjes së shoqërisë civile që dalin nga kjo rregullore, ky trajnim do të trajtojë edhe parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe elemente praktike të kontributit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë. Në kuadër të këtij trajnimi, do të përfshihen informacione mbi dokumentet, format dhe teknikat e konsultimeve publike të cilat i nënshtrohen procesit të konsultimit me publikun duke u bazuar në Rregulloren për Standarde Minimale; nëntor 2016.   
  • Strategjia e komunikimit dhe marrëdhënie me medie – Ky trajnim do të trajtojë konceptin marrëdhënie me publikun; parimet e komunikimit strategjik; format më të zakonshme të përdorura për marrëdhënie me publikun, prezantimi publik, marrëdhënie me medie; identifikimi i target grupeve; dhe hartimi i strategjisë të organizatës për marrëdhënie me publikun; nëntor 2016.
  • Planifikimi strategjik dhe ngritja e fondeve – Në këtë trajnim do të shtjellohet rëndësia e planifikimit strategjik për organizatat e shoqërisë civile; hapat në procesin e planifikimit strategjik; format dhe mjetet për analizë të mundësive dhe rrezikut; definimin e objektivave të qarta dhe hapat që duhet të ndërmerren për t’i arritur këto objektiva; hartimin e programeve dhe projekteve në kuadër të organizatës; janar 2017.
  • Menaxhimi i ciklit të projektit – Ky trajnim do të elaborojë konceptin e menaxhimit të ciklit të projektit, definimin e projektit, shndërrimin e idesë fillestare në projekt; hapat dhe proceset kryesore të menaxhimit të projektit; buxhetimin e projektit; hartimin e kornizës logjike dhe planit të aktiviteteve të projektit; monitorimin dhe vlerësimin e projektit; janar 2017.  
  • Obligimet e OJQ-ve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) – Ky trajnim trajton legjislacionin tatimor në Kosovë, format e raportimit dhe obligimet e organizatave të shoqërisë civile ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, duke përfshirë tatimin në paga dhe kontribute pensionale; tatimin në qira, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tatimin në Korporata; dhe deklarimin elektronik të tatimeve dhe kontributeve pensionale (EDI); shkurt 2017.


PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJA E ORGANIZATAVE

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara apo veprojnë në Kosovë. Kjo pako e trajnimeve synon që t’i fuqizojë kapacitetet organizative, menaxheriale dhe avokuese të organizatave të shoqërisë civile.

Kriteret për aplikim:

  • Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara apo veprojnë në Kosovë;
  • Aplikimi bëhet duke plotësuar formën online;
  • Aplikimi në trajnim duhet të jetë i lidhur me funksionin e stafit në organizatë;
  • Në secilën prej temave të trajnimit organizata duhet të aplikojë me vetëm një anëtar.

KCSF do të bëjë përzgjedhjen e njëzet (20) organizatave të cilat do ta ndjekin pakon e plotë të trajnimeve. Në fund të secilit trajnim pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes. Inkurajohen që të aplikojnë organizatat e vogla dhe ato të sapo themeluara.
Vetëm organizatat e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit.

Për informata më të hollësishme rreth procesit të aplikimit, mund të na kontaktoni çdo ditë pune prej orës 10:00 deri në 12:00 në numrin  e telefonit  038 248 636, apo në e-mail adresën [email protected]. Detajet rreth Pakos së Trajnimeve i gjeni po ashtu duke shkarkuar broshurën elektronike.

Afati i fundit për aplikim është 30 shtator 2016.

Për të aplikuar online ju lutem klikoni në linkun: https://www.surveymonkey.com/r/pako.


 

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Cilat lloje të aktiviteteve konsiderohen për përfitim publik?më shumë